PABARAZITË DHE DISKRIMINIMI

Diskriminimi është ndoshta shkelja më e përhapur dhe më e toleruar e të drejtave të njeriut nga shoqëria. Në vitin 2015, vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara u mblodhën për të miratuar 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm si një thirrje universale për veprim për të arritur “një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme për të gjithë”.

Objektivi 10 thekson rëndësinë e reduktimit të pabarazive. Pabarazitë bazuar tek të ardhurat, gjinia, mosha, aftësitë e kufizuara, orientimi seksual, raca, klasa, përkatësia etnike, feja dhe mundësitë vazhdojnë të jenë të pranishme në mbarë botën. Pabarazia kërcënon zhvillimin afatgjatë social dhe ekonomik, dëmton uljen e varfërisë dhe shkatërron ndjenjën e përmbushjes dhe vetëvlerësimit të njerëzve. Ne nuk mund të arrijmë një zhvillim të qëndrueshëm nëse njerëzit përjashtohen nga shansi për një jetë më të mirë. Pavarësisht disa shenjave pozitive, pabarazia po rritet për më shumë se 70% të popullsisë globale, duke përkeqësuar rreziqet e ndarjeve dhe duke penguar zhvillimin ekonomik dhe social.
Në nivel global, afërsisht një në pesë persona ka përjetuar diskriminim për të paktën një nga arsyet e ndaluara sipas ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, si përkatësia etnike, mosha, seksi, aftësitë e kufizuara, feja dhe orientimi seksual.

Në Shqipëri diskriminimi është edhe më i theksuar duke patur parasysh mentalitetin, konservatorizmin, vështirësinë e shoqërisë në pranimin e diversitetit dhe barrierat për përfshirjen sociale të grupeve vulnerabël. Shqipëria duket si një vend kontradiktash

nëse kemi parasysh se nga njëra anë diversiteti fetar pranohet lehtësisht, tolerohet dhe promovohet dhe nga ana tjetër, diversitetet në bazë seksi, orientimi seksual, etnie, aftësi të kufizuara, janë të papranueshme nga normat shoqërore dhe një shqetësim serioz që lidhet drejtpërdrejt me respektimin e të drejtave të njeriut.
Legjislacioni shqiptar në përgjithësi, është në përputhje me instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe Shqipëria ka ratifikuar shumicën e konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave themelore. Megjithatë, diskriminimi në praktikë i grupeve të ndryshme është një çështje madhore dhe problematike në Shqipëri, e cila krijon vështirësi në pranimin e diversitetit dhe përfshirjes sociale. Kjo është arsyeja që një nga kushtet për Shqipërinë, në këmbim të integrimit në BE, është mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe zbatimin e politikave kundër diskriminimit.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi

Në përgjigje të parimeve ndërkombëtare dhe Direktivave të BE në fushën e mosdiskriminimit, shteti shqiptar ka ngritur mekanizmat e nevojshëm për të siguruar mbrojtjen efektive nga diskriminimi, si dhe nga çdo formë sjelljeje që nxit diskriminimin. Në zbatim të Ligjit nr. 10 221 datë 04.02.2010 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi” është ngritur institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi si një institucion publik i pavaruar, i zgjedhur nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, për një mandat prej pesë vjetësh, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
Komisioneri mbështet punën e tij në zbatimin e të gjitha mekanizmave ligjorë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë, të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi kryen hetim administrativ duke konkluduar me vendimmarrje. Është në tagrin e tij të vendosë rregullimet dhe masat e duhura për ndreqjen e situatës dhe për të rivendosur në vend të drejtën e mohuar të subjektit, ardhur si pasojë e diskriminimit të konstatuar. Komisionieri vendos ndëshkimin me gjobë të subjektit përgjegjës për diskriminim në rast mos zbatimi të vendimeve të tij.

Njëkohësisht, Komisionieri bën rekomandime, monitorime, sondazhe dhe aktivitete ndërgjegjësuse që lidhen me çështjet e diskriminimit dhe promovimit të barazisë. Të gjitha institucionet publike dhe subjektet private janë të detyruara të mbështesin Komisionerin në përmbushjen e detyrave të tij, veçanërisht duke dhënë informacionin që i nevojitet për kryerjen e funksioneve.
Raporti i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) tregon një rritje të denoncimeve në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020, kryesisht nga individë, organizata apo grupe që ankohen se u mohohen shërbimet publike për arsye racore, gjinore, etj. Numri i konsiderueshëm dhe i qëndrueshëm i denoncimeve për raste të diskriminimit të depozituara pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi çdo vit tregon ndërgjegjësimin dhe besimin e publikut ndaj këtij institucioni.

Përgatitja e këtij materiali u realizua nga Qendra për Drejtësi Gjinore në Shqipëri, për Projektin: Femme Salon: “Tell me a story! – Inkurajojmë të rinjtë përtë promovuar barazinë gjinore, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen”. Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi e organizatës zbatuese dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohetsi pasqyrimi i pikëpamjeve të Bashkimit Evropian.

Share this on:

More stories

ARTIVIST STAFETË Funded by

Implemented by