Femme Salon – Tell me a story!

“Femme Salon – Tell me a story!” Inkurajojmë të rinjtë për të promovuar barazinë gjinore, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen” është projekti që Qendra për Drejtësi Gjinore në Shqipëri po implementon me mbështetjen e Artivist Stafetë.

Projekti po zbatohet në bashkëpunim me universitete publike dhe jopublike dhe interesi për të ndjekur aktivitetet ka qenë i lartë nga të rinjtë që studiojnë në këto universitete. Kjo, jo vetëm për tematikat e trajtuara por edhe për natyrën e veçantë të aktiviteteve. Të ftuarit, kanë qenë persona publik/aktivistë për të drejtat e njeriut të cilët, në formën e një rrëfimi, kanë ndarë me pjesëmarrësit:

  1. Eksperiencat e tyre personale, motivimin për të punuar me çështje të barazisë gjinore, diversitetit dhe gjithëpërfshirjes;
  2. Vështirësitë dhe sfidat e komunitetit të cilit ata i përkasin apo mbështesin në kontekstin shqiptar;
  3. Rëndësinë, metodat dhe strategjitë për të vepruar në mbrojtje të komuniteteve të diskriminuara.

Projekti synon rritjen e ndërgjegjësimit tek të rinjtë rreth çështjeve të barazisë gjinore, diversitetit, përfshirjes sociale dhe motivimit për t’u bërë agjentë të ndryshimit në të ardhmen. Numri i lartë i studentëve që kanë shfaqur interes për të marrë pjesë dhe diskutimet e shumta gjatë eventeve kanë treguar se ky projekt po përmbush objektivin e parashikuar.

Edhe pse secili event ka patur specifikat e tij, kryefjala ka qenë “mosdiskriminimi”. Nën-tematikat e eventeve kanë qenë të ndryshme, si: barazia gjinore, të drejtat e komunitetit LGBTQ+, të drejtat e minoritetit Rom dhe Egjiptian, përfshirja sociale e personave me aftësi të kufizuara, etj.

“Ne jemi të rinj dhe ndonjëherë harrojmë se përtej zonës tonë të rehatisë është dikush që çdo ditë lufton me diskriminimin. Dikush që këtë luftë ndoshta e ka luftë për mbijetesë”.

Ky ka qenë komenti i Bjonës gjatë sesionit të diskutimeve në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës i cili vlen të përmendet.

Deri tani janë realizuar 4 nga 6 eventet e parashikuara në projekt, ku kanë marrë pjesë 217 të rinj që studiojnë pranë: Universitetit Europian të Tiranës, Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, Universitetit Epoka dhe Universitetit Beder.

Share this on:

More stories

ARTIVIST STAFETË Funded by

Implemented by