Shqipëria numëron rreth 144.135 persona me aftësi të kufizuar, sipas një raporti të bërë nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, mbështetur nga BE, botuar në mars të vitit 2019. Në këtë raport citohet gjithashtu se rreth 74,392 janë përfitues në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe 69,743 persona në sistemin e ndihmës sociale. Prej tyre, 19,288 persona me aftësi të kufizuara përfitojnë edhe pagesë kujdestarie.
Sipas Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, personat me aftësi të kufizuara janë “individët me dëmtime fizike, mendore, intelektuale apo shqisore aftagjata të cilat në ndërveprim me barriera të ndryshme mund të pengojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efektive në shoqëri njësoj si pjesa tjetër e shoqërisë.”
Përkufizimi i personit me aftësi të kufizuar në vendin tonë bazohet në legjislacion dhe në programet e mbrojtjes sociale. Sipas Ligjit nr.9355, datë 10.3.2005 (i ndryshuar) neni 4, me “Person me aftësi të kufizuar” kuptohet individi, të cilit i është kufizuar aftësia, si pasojë e dëmtimit fizik, shqisor, të intelektit, psikiko/mendor, të lindura apo të fituara gjatë jetës nga aksidente, sëmundje të përkohshme apo të përhershme, të cilat nuk vijnë nga shkaqe që lidhen me punësimin”.
Nga një vështrim në legjislacionin shqiptar ajo çka bie në sy është përpjekja e vazhdueshme e legjislatorit për të krijuar një kuadër ligjor sa më të plotë e më baza të forta për garantimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar. Një seri ligjesh, vendimesh dhe urdhërash janë miratuar për të krijuar sa më tepër akses, përfshirje dhe mosdiskriminim për personat me aftësi të kufizuar.
Respektimi i të drejtave njerëzore të personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri është ende në nivele minimale
Problemi i parë është që mungon aksesueshmëria në shumë shërbime si shëndetësia, arsimi, transporti dhe shërbime të ndryshme, të cilat qytetarët i marrin në një mënyrë të thjeshtë, ndërsa për personat me aftësi të kufizuara kthehet në barriera të pakalueshme pa patur ndihmën e një personi tjetër, i cili duhet të jetë në dispozicion të tyre.
Sipas ligjit “Për nxitjen e punësimit”, çdo punëdhënës duhet të punësojë një person që i përket kategorisë së personave me aftësi të kufizuar në çdo 25 punonjës të parë dhe nga një person shtesë për çdo 50 punonjës të tjerë të ndërmarrjes. Por të dhënat tregojnë që ky detyrim nuk respektohet as nga institucionet publike dhe as nga kompanitë private në Shqipëri.
Numri i të punësuarve me aftësi të kufizuar, që janë në moshë pune, është i papërfillshëm faktikisht. Mungojnë edhe shërbimet e specializuara për trajnim profesional për personat me aftësi të kufizuara
Përgatitja e këtij materiali u bë nga Qendra për Drejtësi Gjinore në Shqipëri, për Projektin: Femme Salon: “Tell me a story! – Inkurajojmë të rinjtë për të promovuar barazinë gjinore, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen”. Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi e organizatës zbatuese dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si pasqyrimi i pikëpamjeve të Bashkimit Evropian.