Pak historik Lëvizja LGBTI në Shqipëri
Pas rrëzimit të regjimit komunist në vitin 1990, Shqipëria hyri në periudhën e tranzicionit drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Vendi hyri në rrugën e reformave rrënjësore ekonomike, politike, sociale dhe kulturore. Liria e lëvizjes dhe migrimi i bëri shqiptarët të njihen me ndikimet kulturore të Perëndimit. Me gjithë këtë hapje më të madhe kulturore, niveli i të kuptuarit dhe toleranca ndaj personave LGBTI ende mbetej e ulët.
Kushtetuta e vitit 1991 garantoi të drejtat dhe liritë themelore, përfshirë të drejtat civile, politike, ekonomike, sociale dhe kulturore. Më 20 janar 1995, pas një trysnie ndërkombëtare nga Këshilli i Evropës dhe SHNLG (në anglishte: ILGA), Kuvendi i Shqipërisë dekriminalizoi marrëdhëniet seksuale konsensuale ndërmjet personave të të njëjtit seks. Kushtetuta e vitit 1998 e zgjeroi më tej mbrojtjen e të drejtave të njeriut me një dispozitë të posaçme kundër diskriminimit, ku u përfshi edhe ndalimi i diskriminimit për shkaqe gjinore. Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi, i miratuar në vitin 2010, sanksionoi ndalimin me ligj të diskriminimit për shkak të OSIGj.
Mund të thuhet që fundi i viteve 1990 shënoi daljen në skenë të lëvizjes LGBTI dhe pikëfillimin e kulturës së konceptualizuar gei nën ndikimin e nocioneve perëndimore të të qenit LGBTI. Lëvizja sociale LGBTI filloi me krijimin e organizatës së parë “Gay of Albania”, e themeluar në vitin 1994, e cila qëndroi pothuaj plotësisht në fshehtësi për shkak të paragjykimeve që ekzistonin për meshkujt gei. Publiku u njoh për herë të parë me konceptin e të drejtave seksuale në vitin 1995, kur drejtuesi i organizatës dha një intervistë për të përditshmen më të madhe, “Koha Jonë”.
Për fat të keq, kjo organizatë pushoi së vepruari në vitin 1999, kur drejtuesi i saj u largua nga vendi. Në atë kohë u krijua organizata e dytë LGBT ALGA. Në vitin 2003 u krijua një organizatë e tretë, e njohur si Grupi për Integrimin Shoqëror (GISH). Veprimtaria e këtyre organizatave ka qenë e mbartur me tensione, në një mjedis shumë armiqësor, që shpjegon edhe nivelin e ulët të përfaqësimit dhe të dukshmërisë së personave LGBTI dhe të nevojave të tyre deri në atë kohë. Duke mos pasur mbështetjen e autoriteteve, lëvizja LGBTI kërkoi mbështetje ndërkombëtare. Në vitin 2000, Fondacioni Soros bëri thirrje për mobilizim social të personave LGBTI, duke shpallur mbështetjen e tij të hapur për lëvizjen. Në vitet 2010 pati zhvillime të rëndësishme të lidhura me lëvizjen dhe personat LGBTI, si themelimi i katër organizatave të reja të personave LGBTI: Aleanca LGBT, Ambasada PINK, Pro LGBT Shqipëri dhe OMSA, të cilat po punojnë aktualisht për të çuar përpara kauzën e të drejtave të njeriut për personat LGBTI.
Institucionet në mbrojtje të personave LGBTI
Qytetarët shqiptarë LGBTI përfitojnë nga mbrojtja e dy institucioneve të barazisë: Avokati i Popullit (AP) dhe Komisioneri për Mbrojtje nga Diskriminimi (KMD). Që të dyja këto institucione ofrojnë asistencë të pavarur për personat LGBTI viktima të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe diskriminimit. Ato kanë nxjerrë raporte për gjendjen e të drejtave të personave LGBTI. Raportet evidentojnë shkeljet e të drejtave të njeriut dhe diskriminimin e personave LGBTI. Të dyja këto institucione kanë bërë rekomandime për ndryshime në ligje të ndryshme si në Kodin Penal, Kodin e Familjes, Ligjin për Arsimin Parauniversitar, Kodin e Procedurave Administrative dhe Kodin e Punës.
Ndër rekomandimet e tyre kryesore kanë qenë sugjerimet për përmirësime në kuadrin e të drejtave të njeriut në Kodin Penal përmes trajtimit të çështjeve kritike të veprave penale të urrejtjes dhe gjuhës së urrejtjes, si dhe të pabarazive diskriminuese në Kodin e Punës për shkak të OSIGj. Si AP ashtu edhe KMD kanë reaguar ndaj deklaratave homofobike të politikanëve konservatorë dhe kanë shqyrtuar dhe hetuar ankesat e bëra nga organizatat me fokus personat LGBTI.
Institucioni kryesor qendror për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin është Ministria e Shendetesise. Ministria mbulon një gamë të gjerë të të drejtave të personave LGBTI: punësimin, shërbimet e mirëqenies sociale, përfshirjen sociale, mundësitë e barabarta dhe mbrojtjen nga diskriminimi. MSH bashkërendon punën me institucione të tjera qendrore qeveritare, institucionet e barazisë dhe shoqërinë civile. MSH ka hartuar dy plane veprimi kombëtare për të drejtat e personave LGBTI.
Ndonëse ka pasur një rritje në dukshmërinë e çështjeve të personave LGBTI, diskutimi për të drejtat e personave LGBTI mbetet relativisht diçka e re dhe kryesisht e përqendruar në Tiranë. Bëhen shumë përpjekje për t’i dhënë zë nevojave dhe çështjeve të personave LGBTI, por disa segmente të komunitetit LGBTI nuk janë plotësisht të dukshëm, si personat biseksualë dhe transgjinorë. Komuniteti biseksual mbetet i nën-përfaqësuar për shkak të stigmatizimit si nga komuniteti heteroseksual, ashtu edhe nga ai gei. Po kështu, nuk dihet të ketë organizata për personat biseksualë, transgjinorë dhe interseks, çka shpjegon mungesën e legjislacionit për ndërhyrjet kirurgjikale për ricaktimin e seksit dhe për trajtimin me terapi hormonale të personave transgjinorë.
Përgatitja e këtij materiali u bë nga Qendra për Drejtësi Gjinore në Shqipëri, për Projektin: Femme Salon: “Tell me a story! – Inkurajojmë të rinjtë për të promovuar barazinë gjinore, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen”. Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi e organizatës zbatuese dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si pasqyrimi i pikëpamjeve të Bashkimit Evropian.