Shqipëria ka bërë përparim në adresimin e çështjeve gjinore, kryesisht përmes përmirësimit të kuadrit ligjor dhe përafrimit të tij me standartet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Megjithatë, pabarazitë gjinore, dhuna ndaj grave dhe vajzave, vazhdojnë të jenë shqetësim serioz dhe një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut duke ndikuar negativisht në pjesëmarrjen e plotë dhe të barabartë të grave dhe vajzave në shoqëri. Pabarazia gjinore nuk është vetëm një çështje e të drejtave të njeriut, është një humbje e jashtëzakonshme e potencialit njerëzor. Duke u mohuar grave të drejta të barabarta, ne i mohojmë gjysmës së popullsisë mundësinë për të jetuar duke shfrytëzuar potencialin e tyre të plotë.
Gratë në Shqipëri përballen me forma të ndryshme të trajtimit të pabarabartë, duke përfshirë diskriminimin, ngacmimin, dhunën në familje dhe abuzimin seksual. Forma të tjera veçanërisht të përhapura janë: martesat e detyruara, vrasjet për nder, privimi nga arsimi, mohimi i të drejtave pronësore dhe mungesa e aksesit në punë dhe shërbime, diskriminimi në punë, pjesëmarrja e pabarabartë në vendimmarrje, etj.
Anketa e Tretë Kombëtare e Bazuar në Popullsinë për Dhunën ndaj Grave e kryer nga Instituti i Statistikave të Republikës së Shqipërisë (INSTAT) në vitin 2018, tregoi se një në dy (52.9%) gra shqiptare kanë përjetuar një ose më shumë forma të dhunës ndaj grave gjatë jetës së tyre dhe 36.6% e tyre pohuan se aktualisht janë duke përjetuar dhunë. Format më të zakonshme të dhunës janë përjetuar gjatë një lidhjeje dashurie ose në familje dhe ushtrohen nga partneri intim (INSTAT, “Gratë dhe burrat në Shqipëri”, 2021).
Të dhënat e Policisë së Shtetit për vitin 2021, treguan se janë evidentuar dhe trajtuar nga policia gjithsej 5312 raste të dhunës dhe krimeve të tjera të kryera në marrëdhëniet familjare, 611 raste më shumë (13%) se viti 2020. Janë trajtuar 3266 raste të dhunës në familje me kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes/urdhrit të mbrojtjes, 15.9% më shumë raste se në vitin 2020. Përqindja më e lartë e grave që i nënshtrohen dhunës në familje (bazuar në numrin e aplikimeve për urdhër mbrojtje dhe urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje) është përqendruar në qarkun e Tiranës, i ndjekur nga Durrësi dhe Vlora.
Viti 2021 tregoi gjithashtu një rritje shqetësuese të rasteve të femicidit në Shqipëri. 21 gra dhe vajza u vranë nga partneri, bashkëshorti ose një anëtar tjetër i familjes (70% më shumë raste krahasuar me 2020). Në shumicën e rasteve, viktimat e kishin denoncuar dhunën në polici dhe kishin marrë një urdhër mbrojtje nga gjykata. Sistemi i drejtësisë ka dështuar në mbrojtjen e viktimave sepse nuk ka marrë masat e duhura ndaj autorëve të krimit dhe nuk ka siguruar mbrojtje për viktimat.
Edhe pse numri i rasteve të raportuara të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore ka qenë në rritje të vazhdueshme, shumica e grave që përjetojnë dhunë nuk kërkojnë asnjëherë ndihmë ose nuk e raportojnë dhunën tek autoritetet. Kjo për shkak edhe të mungesës së besimit që kanë ndaj institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, të cilat kanë për detyrë të mbështesin dhe mbrojnë viktimat e dhunës. Bazuar në sondazhin kombëtar ‘Barometri Shqiptar i Sigurisë’ të kryer nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes në vitin 2020, 13,6% e popullsisë së anketuar deklaroi se nuk i beson Policisë së Shtetit. Këto përqindje thellohen ndjeshëm kur bëhet fjalë për Prokurorinë dhe Gjykatën: 43.5% nuk i besojnë punës së Prokurorisë dhe besimi në gjykata është akoma më i ulët ku 45.9% e popullsisë deklaroi se nuk ka besim, që është absolute shifra më e lartë krahasuar me të gjitha institucionet e vëzhguara nga ky sondazh kombëtar.
Përgatitja e këtij materiali u bë nga Qendra për Drejtësi Gjinore në Shqipëri, për Projektin: Femme Salon: “Tell me a story! – Inkurajojmë të rinjtë për të promovuar barazinë gjinore, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen”. Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi e organizatës zbatuese dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si pasqyrimi i pikëpamjeve të Bashkimit Europian.